Rritja e njohurive dhe zhvillimi i të drejtave të aksionërëve

Projekti "Rritja e njohurive dhe zhvillimi i të drejtave të aksionerëve në shoqeritë aksionere në Shqipëri" u zbatua nga AATDA-AL me mbështetje financiare nga CIPE. Veprimtaritë e projektit u shtrinë në periudhën maj-dhjetor 2003.

Objektivat e këtij projekti ishin:

1. Përmirësimi i aftësive të bordeve dhe strukturave manaxhuese të shoqërive aksionere për të trajtuar me më shumë etikë marrdhëniet me aksionerët, nëpërmjet trajnimeve dhe asistencës

2. Rritja e njohurive të aksionereve, komunitetit te biznesit dhe publikut për pjesëmarrje më të aktive në procesin e ushtrimit të të drejtave të aksionereve dhe promovimi i etikes se biznesit në çështjet e qeverisjes.

3. Promovimi i aktiviteteve dhe rritja e kapaciteteve të organizatave të biznesit për të siguruar rritjen e pjesëmarrjes në reformimin e praktikave të qeverisjes së shoqërive aksionere dhe përmirësimi i bashkëpunimit midis vendim-marrësve dhe aktorëve të interesuar.

Projekti u përqëndrua në realizimin e disa aktiviteteve:

Sesionet e trajnimit
AATDA-AL organizoi 3 sesione trajnimi 2 ditore në Tiranë, Shkodër dhe Korçë. Në këto seminare trajnimi morën pjese rreth 100 përfaqësues të SHA-ve, si aksionerë, manaxherë shoqërish (drejtorë dhe financairë), dhe anëtarë të këshillave mbikqyrës të SHA-ve. Tematikat kryesore të trajnimeve u përqëndruan në:

- Përshpejtimi i privatizimit dhe problemet e vërejtura gjatë këtij procesi
- Të drejtat bazë të aksionerëve
- Shfrytëzimi i të drejtës për informim nga ana e aksionereve
- Detyrimet e aksionereve
- Roli dhe pergjegjesite e ndersjellta te aksionereve dhe manaxhereve
- Mbledhjet e pergjithshme te aksionereve(asamblete) dhe e drejta per votim
- Transparenca dhe ekspozimi i informacionit nga SHA-të
- Ndikimi i aktorëve të tjerë në qeverisje, etj

Seminaret e trajnimit u zhvilluan në bashkëpunim me dhomat e tregtisë dhe industrisë dhe me disa organizata biznesi.

Workshope për shkëmbim përvoje dhe diskutim mbi praktikat e qeverisjes
Pas përfundimit të sesioneve të trajnimit, projekti mundësoi organizimin e 3 workshopeve 2 ditore. Këto veprimtari synonin të lehtësonin një proces të shkëmbimit të përvojës në trajtimin e të drejtave të aksionerëve nga SHA-të, si dhe të nxitej debati mbi përmirësimet e nevojshme në kuadrin ligjor përkatës dhe në praktikat konkrete të qeverisjes së SHA-ve.

Workshopet u organizuan në Tiranë, Shkodër dhe Korçë; morën pjesë 60 përfaqësues të SHA-ve dhe organizatave të biznesit. Tematikat u orientuan nga:

- Diskutimi i rasteve të shkeljeve rreth të drejtave të aksionereve dhe trajtimet e pabarabarta të tyre në Shqipëri.

- Konsolidimi i njohurive mbi elementet kryesore të standardeve ndërkombëtare lidhur me të drejtat dhe përgjegjësitë e aksionereve si dhe rëndësia e zbatimit te tyre në Shqipëri.

- Diskutimi dhe paraqitja e sugjerimeve për disa nga drejtimet kryesore në reformën legjislative dhe advocacy për praktika më të mira mbi të drejtat e aksionerëve.